S’kanë të ndalur sulmet terroriste. Terrori shokon Manhattanin

Një kamion u vërsulet këmbësorëve dhe njerëzve me biçikletë në zemër të metropolit botëror, Nju Jork. Tetë vetë ndërrojnë jetë, mjaft vetë u plagosën. Reagime të tronditura nga e gjithë bota.

Sipas të dhënave të policisë së Nju Jorkut, shoferi i kamionit të marrë me qira e drejtoi me shpejtësi të lartë kamionin në zonën e këmbësorëve në jugperëndim të Manhatanit, jo larg memorialit përkujtimor për viktimat e 11 Shtatorit. Pastaj ky person doli nga automjeti dhe ngrit lart armët, që rezultuan të parrezikshme.

Një polic e qëlloi autorin e sulmit ndaj qytetarëve në bark, ai u arrestua e më pas u dërgua në spital. Të pakten 8 vetë humbën jetën dhe mjaft të tjerë u lënduan nga sulmi me kamion.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio në një konferencë shtypi bëri fjalë për “një akt terrorist frikacak”. Shoferi i kamionit është një 29 vjeçar, që nuk jetonnë Nju Jork. Televizionet amerikane raportuan, se shoferi kishte thirrur “Allahu Akbar”. Më vonë media të tjera raportuan se autori i krimit ishte me origjinë nga Uzbekistani, dhe kishte hyrë në SHBA në vitin 2010, legalisht me Green Card.

Edhe presidenti amerikan bëri fjalë për një akt terrori përmes twitterit. “Duket si një sulm tjetër i një njeriu të sëmurë dhe të çoroditur”, tha ai. “JO në SHBA” përfundon Trump njoftimin e tij. Nëse konfirmohen të dhënat e autoriteteve ky do të ishte akti i parë terrorist në presidencën e Trumpit.

Reagime botërore

Reagime të tronditura vijnë nga e gjithë bota. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shkroi se “Nju Jorku njihet për mikpritjen e tij të mrekullueshme, dhe ne e dimë, që edhe këtë herë njerëzit do të qëndrojnë të bashkuar”.

Qeveria gjermane shprehet e tronditur pas sulmit në Manhatan. “I shokuar pas sulmit të rëndë terrorist në Manhatan”, shkruan zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. Edhe presidenti francez, Manuel Macron shprehet i tronditur. “Shpreh ngushëllimet e mia dhe solidaritetin e Francës për Nju Jorkun dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lufta jonë për lirinë na bashkon më shumë se kurrë.”  Po ashtu edhe kryeministrja britanike, Theresa May shprehet se “jam e tronditur nga ky sulm frikacak, mendimet e mia janë me ata që janë prekur nga ky sulm”. /DW

Comments

comments

You might also like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *