Nga Bjeshkët në Bronks: udhëtimi ilegal i shqiptarëve drejt Amerikës

750
0

Vila 3-katëshe e familjes Malaj në qytezën e vogël të Bajzës në Malësi të Madhe ka mbetur thuajse e shkretë. Pronari Palokë Malaj, baba i gjashtë fëmijëve qëndron në një dhomë të saj, bashkë me gruan dhe djalin adoleshent. Pjesa tjetër e familjes ka emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

“Detroit, New York, Florida dhe Toronto. Ja ku ndodhen të gjithë njerëzit e mi tani,” thotë Malaj. “Të gjithë ata kanë ikur ilegalisht në kërkim të një jete më të mirë,” shton ai.

Malaj është fermer dhe i shpenzon ditët me kultivimin e bimëve medicinale dhe lajmet që vijnë nga Amerika. Sipas llogarive të tij, 124 nga 164 anëtarët e fisit të tij të madh ndodhen ose në Shtetet e Bashkuara ose në Kanada, mes të cilëve edhe katër vajzat e tij.

Ai ka shpenzuar rreth 80 mijë dollarë në tetë vitet e fundit për të dërguar të bijat përtej oqeanit. I ka mbetur vetëm i biri adoleshent, por edhe ai po pret me zor të ikë.

“Duam që të mbarojë shkollën, por mendja i punon si e si të ikë në Amerikë,” thotë Malaj i dorëzuar.

Shumë fqinjë të Malajt gjithashtu kanë emigruar. Ata kanë kyçur shtëpitë në këtë qytezë të vogël në rrëzë të Bjeshkëve të Nëmura.

“Të gjithë po ikin dhe askush nuk kthehet mbrapsht,” thotë Malaj.

Emigracioni ka qenë një mënyrë jetese në këtë rajon të varfër të Veriut në kufi me Malin e Zi për më shumë se dy dekada, që prej kohës kur regjimi komunist ra dhe kufinjtë e vendit u hapën.

Disa banorë, mes të cilëve edhe xhaxhai i Malajt u arratisën madje gjatë regjimit komunist, pavarësisht kërcënimit dhe reprezaljeve ndaj të afërmve që lanë pas.

Megjithatë, emigracioni nga Malësia e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara ka lulëzuar gjatë viteve të fundit, i ndihmuar nga një rrjet trafikantësh që lehtësojnë kalimin përmes kufinjve.

Shtëpi e mbyllur në Bajzë të Malësisë së Madhe pasi pronarët e saj emigruan familjarisht në SHBA. Foto: Aleksandra Bogdani/BIRN

Shtëpi e mbyllur në Bajzë të Malësisë së Madhe pasi pronarët e saj emigruan familjarisht në SHBA. Foto: Aleksandra Bogdani/BIRN

Një raport i Ambasadës Amerikane në Tiranë, i dërguar Policisë së Shtetit në Janar 2014 thotë se numri i klandestinëve shqiptarë të kapur në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara u dhjetëfishua në vitin 2013, krahasuar me vitin paraardhës.

Dokumentet zyrtare të siguruara nga BIRN tregojnë se numri i emigrantëve ilegalë të ndaluar në kufirin Meksikë-SHBA në 2012 ishte 56. Në vitin 2013, kjo shifër kërceu në 487.

Edhe pse shqiptarët zënë një vend të vogël në numrin e emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së çdo vit, rruga e ndjekur prej tyre përmes vendeve të Amerikës Qëndrore ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane.

Një raport “konfidencial” i rrjedhur në shtyp nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Doganave dhe Kufinjve tregon se qindra emigrantë shqiptarë mendohet të ketë përdorur këtë rrugë për të hyrë ilegalisht në SHBA, përgjatë viteve 2009-2013.

Pas raportit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një hetim për rrjetin e trafikantëve që po dërgonin emigrantët ilegalë drejt Shteteve të Bashkuara.

Përmes përgjimeve telefonike dhe infliltrimit të një agjenti në mbulim, prokurorët arritën të identifikonin itinerarin e ndjekur dhe personat që lehtësonin trafikimin e qindra shqiptarëve nga Malësia e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara. 

Në Maj 2014, policia arrestoi 15 anëtarët e dyshuar të rrjetit, të cilët përdornin dokumente të falsifikuara për emigrantët ilegalë që donin të mbërrinin në SHBA.

Ky rrugëtim niste nga Shqipëria dhe vazhdonte në Maqedoni, Bullgari, Austri dhe Spanjë, vende ku shqiptarët mund të lëvizin lirisht, falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Kryqe të bardhë me emrat e njerëzve që humbën jetën ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës janë vendosur në anën meksikane të murit ndarës mes dy vendeve në Heroika Nogales, Meksikë, fotografuar në datë 17 shtator 2009. (Foto kortezi: Jonathan McIntosh/Flickr)

Kryqe të bardhë me emrat e njerëzve që humbën jetën ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës janë vendosur në anën meksikane të murit ndarës mes dy vendeve në Heroika Nogales, Meksikë, fotografuar në datë 17 shtator 2009. (Foto kortezi: Jonathan McIntosh/Flickr)

Nga Spanja, emigrantët udhëtojnë drejt Meksikës me dokumente të falsifikuara bullgare. Ato i kthehen rrjetit të trafikantëve, sapo klandestinët mbërrijnë në Amerikë.

Dy rrugët e tjera të trafikut i dërgojnë emigrantët në Guatemalë, prej nga ata udhëtojnë për dy javë me autobus apo kamionë drejt kufirit Meksikë-SHBA.

Dokumentet e hetimit të Prokurorisë tregojnë se trafikantët përdorin gjithashtu edhe stacione të tjera në Amerikën Qendrore.

Në vjeshtën e vitit 2012, tre të rinj nga komuna malore e Kelmendit në Malësi të Madhe u ndaluan në aeroportin e El Salvadorit, teksa kishin në përdorim dokumente false bullgare.

Të tre ata u deportuan në Bullgari. Megjithatë, në 22 dhjetor 2012 ata ia dolën të hyjnë sërish në Shtetet e Bashkuara dhe plotësuan kërkesat për azil. 

Sipas dëshmive të tyre, dhënë për Departamentin e Sigurisë, në udhëtimin e dytë fluturuan nga Shqipëria drejt Bullgarisë e më pas Spanjës, prej nga shkuan në Costa Rica dhe Honduras.

“Në Honduras hipëm në autobus dhe udhëtuam përqark Guatemalës, për të mbërritur në Meksikë 17 ditë pasi kishim lënë Shqipërinë,” thuhet në dëshminë e njërit prej tyre. “Kufirin Meksikë-SHBA e kaluam më këmbë,” shtoi ai.

Tre të rinjtë jetojnë në Bronx, në pritje të azilit dhe postojnë në Facebook të rejat e jetës së tyre në New York.

Të ardhura të majme për rrjetin e trafikantëve

Në këtë foto të 12 janarit 2015, njerëzit pop resin në rradhë për të aplikuar për karta identiteti në lagjen Bronks të Nju Jorkut. (AP Photo/Mark Lennihan, File)

Në këtë foto të 12 janarit 2015, njerëzit pop resin në rradhë për të aplikuar për karta identiteti në lagjen Bronks të Nju Jorkut. (AP Photo/Mark Lennihan, File)

Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon shtatë persona, përfshirë edhe një shqiptar nga Maqedonia si pjesë e rrjetit që trafikoi qindra shqiptarë nga Malësia e Madhe drejt Amerikës në vitet 2012-2013.

Njëri prej të akuzuarve, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit tha se çdo emigrant u pagoi trafikantëve 25 mijë dollarë për udhëtimin.

Emigrantët që udhëtuan ilegalisht drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2013, të cilët janë identifikuar nga autoritetet, llogaritet të kenë gjeneruar rreth 12 milionë dollarë për rrjetin e trafikut.

“Shumë nga emigrantët kanë vëllezër apo anëtarë të familjes në Amerikë. Fatura u pagua prej tyre,” thotë i akuzuari. “Me të mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ata punojnë fort në dy vitet e para për të kthyer borxhet,” shton ai.

Skema krijon efektin domino. Pasi shlyejnë borxhin e tyre, emigrantët e rinj financojnë udhëtimet për anëtarët e tjerë të familjes, të mbetur në Shqipëri.

Në Bajzë, Palokë Malaj i tha BIRN se ai pagoi 25 mijë dollarë, menjëherë sapo e bija e telefonoi nga Kanadaja dhe i tha se kishte mbërritur shëndoshë e mirë. 

Prokurorët shqiptarë besojnë se përveç trafikantëve, edhe ndërmjetësuesit luajnë një rol të rëndësishëm në rrjetin e trafikimit, pasi ata japin garanci se paratë do të shlyhen, sapo emigrantët të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara.

Paravërisht goditjes së rrjetit, i akuzuari i tha BIRN-it se trafiku ilegal nga zonat e varfra të Veriut të Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara vazhdon.

“Dëshira për të emigruar është e lartë, ndaj do të gjenden gjithnjë njerëzit e duhur për ta realizuar,” thotë ai.

Palokë Malaj bie dakord, teksa thotë se pjesa më e vështirë është gjetja e parave. “Mjafton të kesh paratë dhe gjithçka është e mundur,” thotë ai.

Kryetari i komunës Kastrat në Malësi të Madhe, Viktor Popaj ia hedh fajin qeverisë shqiptare për eksodin.

“Njerëzit ikin, sepse nuk kanë asnjë mundësi për mbijetesë,” thotë ai. “Politikat e mbrapshta të qeverisë shqiptare po i detyrojnë ata të braktisin vendin,” shton Popaj. 

New Yorku, më tolerant se Teksasi

Qendra Kërkimore Pew vlerëson se 11.2 milionë emigrantë ilegalë ishin të pranishëm në Shtetet e Bashkuara gjatë 2012-s, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Meksika apo Amerika Qendrore.

Shumë prej shqiptarëve që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht kërkojnë leje qëndrimi si azilkërkues.

Departamenti i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara ka një sërë kriteresh, mbi të cilat jep azil. Një oficer emigracioni, bord apeli apo gjykatës aprovon kërkesën për azil, nëse aplikanti i përmbush kushtet e refugjatit.

Ai është “i pamundur apo pa vullnetin për t’u kthyer në vendin e tij, për shkak të persekutimit apo frikës së bazuar të persekutimit për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar apo opinionit të tij politik”.

Kur aplikanti shfaqet vullnetarisht përballë oficerit të emigracionit, pasi ka hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, ai plotëson një kërkesë pohuese për azil; në të kundërt, kur kapet nga autoritetet, ai mbush kërkesën mbrojtëse kundër deportimit.

Statistikat e Zyrës së Emigracionit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se përgjatë viteve 2004-2013, përfituan azil 3 782 qytetarëve shqiptarë. Nga këto kërkesa, 3 422 ishin pohuese dhe vetëm 486 mbrojtëse.

Një përkthyes i Gjykatës Federale të Emigracionit, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimitetit tha se shqiptarët synojnë të mbërrijnë në New York, para se të dorëzohen në Departamentin e Sigurisë dhe të plotësojnë kërkesat për azil.

“Ata kanë frikë nga gjyqtarët e Teksasit, ndërsa gjykatat në New York janë më tolerante ndaj kërkesave për azil,” thotë ai.

Sipas përkthyesit, shumë shqiptarë nga Malësia e Madhe, e njohur si një zonë që mbështet fort partitë e djathta, përdorin kartën e persekutimit politik në kërkesat e tyre për azil.

“Vrasja e vitit 2009 të kryetarit të Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, Aleks Keka të siguron ende një kartë jeshile nga shoqata përtej oqeanit,” thotë ai.

“Të tjerët përdorin konflikte gjyqësore ose ekstra-ligjore për të justifikuar kërkesat e azilit, shpesh duke luajtur me kodin shqiptar të hakmarrjes  sy për sy përballë gjyqtarëve,” përfundon ai.

Autor: Aleksandra Bogdani, Flamur Vezaj BIRN