“Maya” është një film që shihet me kënaqësi. Do t’ua rekomandoja të gjithë artdashësve tanë, të cilët kinemanë shqiptare thuajse e kanë braktisur prej vitesh… Arsyet e kësaj braktisjeje s’do të mund t’i thoshim këtu, por me siguri “Maya” është jashtë tyre. Pasi, 1 orë e 30 minuta (aq zgjat filmi) të mbush me emocione, të bën të qeshësh, të trishtohesh, të ndjesh një dashuri që merr formë dhe jetë aty brenda ngjarjeve të tij, një dramë familjeje, dhe koloritin e pazakontë të një qyteze kaq piktoreske, por edhe kaq të vetmuar, me banorë të veçantë, karaktere tërheqëse, nën tisin e monotonisë dhe të kredhur dhunshëm në një thashethemnajë pa cak… E për më tepër, “Maya” nuk të shqitet edhe pasi filmi ka përfunduar. Mesazhet, ndjesitë, karakteret e këtij filmi, pesha emocionale që ata të kanë lënë për 1 orë e gjysmë, janë të gjalla e grishëse edhe shumë kohë më pas.
Një përjetim i pastër kinematografik
“Maya” nuk është një superprodhim, përkundrazi është një prodhim modest me të ardhura të pakta financiare, çka bie në sy që nga zgjidhjet regjisoriale. Në një fshat turistik pranë Tiranës, në Petrelë, madje thuajse vetëm në sheshin e saj, zhvillohet pothuaj i gjithë filmi, përjashtuar tri-katër skena në aeroport dhe avion. Filmi “Maya” nuk ka aksion, nuk ka skena masive, ngjarje apo personazhe të komplikuara. Jo, “Maya”, filmi i parë artistik me metrazh të gjatë i regjisorit të dokumentarëve Pluton Vasi, me skenar të Luljeta Lleshanakut, (po ashtu një përvojë e parë si skenariste), është një film përtej gjithë këtyre përshkrimeve.
Ngjarjet zhvillohen në një qytezë të vogël me emrin e çuditshëm Gromas. Qyteza ndodhet pranë një miniere, e cila tashmë është jashtë funksionit dhe banorët e saj e përsërisin fjalën ‘varfëri’ si një lajtmotiv. Në qytezë nuk ndodh asgjë. Tablo të njëjta i lënë vendin njëra-tjetrës teksa ditët dhe netët këmbehen…femra që shqetësohen për çështje nga më të parëndësishmet deri tek ato jetike; fëmijë në botën e tyre të pacenuar; meshkuj që bisedojnë kafeneve, ku prona dhe paraja janë kryetema. Kjo deri në çastin kur aty mbërrin një djalë emigranti, Samiu, (interpretohet nga aktori Gent Kame), që në qytezë për dekada me radhë e kanë quajtur diversant. Ka mbërritur aty për të çuar në fund amanetin e të atit, ta varrosë në vendlindje, por krejt e pa kuptuar edhe për të trazuar gjithë atë atmosferë e për të nxjerrë në pah shumë vese, sëmundje karakteri të vjetra e të reja, përplasje mentalitetesh dhe pasione të fshehta. Ai vjen dhe merr një pjesë të pronave të tij, ngre një parukeri, një zanat i trashëguar, mundohet të miqësohet me fqinjët dhe… dashuron Maya-n, gruan e kushëririt të tij të largët, një nënë me dy fëmijë, një artiste që e kalon jetën mes ngjyrave dhe harron se në ç’botë jeton. Gjithçka bën ky personazh i ri në qytezë, tërheq vëmendjen tek njerëzit që e pëlqejnë e gati e adhurojnë, dhe tek ata që e urrejnë për dhjetëra arsye. Burhani (Arben Derhemi, një karakter i realizuar bukur) e urren sepse i ka marrë pronën që ai e gëzoi deri më dje. Por edhe më shumë nuk e duron praninë e këtij “të huaji” Bekimi, shefi i komisariatit, i cili gjithmonë e ka lakmuar Maya-n e bukur. Në heshtje si në nënvetëdije, një dramë e fortë përshkon gjithë familjen e Maya-s sa herë emri i këtij personazhi përmendet. Kushëriri i tij, burri i Maya-s, zgjohet një mëngjes në divan, larg shtratit martesor dhe vajza adoleshente tek e sheh, shpreh shenjat e para të revoltës së saj, një sfidë kundër së ëmës. Intriga pafund përfshijnë gjithë qytezën dhe të gjithë presin të shohin ç’do të ndodhë? A do të largohet i huaji i ardhur nga Perëndimi? A do të dorëzohet ai pas gjithë prapaskenave që i ngrenë kundërshtarët e çuditshëm të kësaj qyteze? Ai shfaqet i palëkundur në bindjet e tij. I pëlqen të jetojë aty e ta ngrejë vetë jetën e tij…. Sidoqoftë, regjisori na e ka rrëfyer që në fillim se ai largohet, duke e lënë pas atë vend që nuk e mirëpriti. Duke lënë pas edhe “Maya-n e bukur me sy blu, për të cilën gëloi një thashethemnajë e pazakontë, u trazua një familje, pikërisht për shkak të tij….Por asnjë prej tyre nuk e mori vesh arsyen e vërtetë të largimit të tij. Ajo e vërtetë e fshehtë, tronditëse, mbeti aty në ndërgjegjen e tij. Zgjidhjet regjisoriale në filmin “Maya” janë të gjetura, me një prolog dhe epilog thuajse të njëjtë dhe mandej një rrëfim i shtruar, ku ngjarjet gërshetohen me kujtimet e personazheve, të cilat në formën e “flashbac” duket sikur e presin me thikë atë çka ndodh, momentin, hapësirën, imazhet… Por mjaft dorë duket i ka dhënë regjisorit Pluton Vasi edhe skenari me dialogje të shkathëta, pa ngërçe, gjuhë e zhdërvjellët, histori e karaktere të ndërtuara mirë. Po ashtu një punë e mirë është bërë me gdhendjen e personazheve, ku ka spikatur loja e ndjerë e aktorëve Gent Kame, Muzafer Ziflaj, Rovena Lule, Alert Çeloaliaj dhe karakteret e pazakonta të realizuara nga Arben Derhemi, Xhevahir Zeneli, Mariana Kondi apo Zyliha Miloti. Një prodhim i gjithi shqiptar i “Art Film P&D” dhe me buxhetin më të vogël që është dhënë deri më sot për një film me metrazh të gjatë, sidoqoftë “Maya” është një sukses që dëshmon se arti i mirë bëhet edhe në këto kushte.

Tags

 

0 Comments

You can be the first one to leave a comment.

Leave a Comment