A mund të dashurohesh me një qytet? Tirana, mon amour

999
0

tiranaA mund të dashurohesh me një qytet? Pergjigjja ime është po. Sepse është ajo çka me ndodhi mua me të mberritur në Tiranë.

Në imagjinatën time e mendoja gri e të trishtë, siç ndodh me vendet që kanë vuajtur diktaturën komuniste, që në këtë rast ka zgjatur më shumë se dyzet vjet.
Tjetër gjë nuk dija sepse informacionet që na mbërrijnë janë pak ose pothuajse aspak. Në fakt është një vend i injoruar nga shtypi dhe televizioni, gati i panjohur si për turizmin masiv, ashtu dhe për atë elitar.

Deri më sot, do të thoja unë, sepse situata është në zhvillim të vazhdueshëm. Sapo mbërrita në aeroportin e Tiranës, i madh dhe i mirëmbajtur, me njerëzit që të dalin para për të të pyetur nëse ke nevojë për ndihmën e tyre, kuptova që diçka në përfytyrimin tim duhej rishikuar. Duke përshkruar rrugën që të çon në qytet, e rrethuar nga kodrina të gjelbëruara që zbusin grinë e zymtë të asfaltit, shikimi im, përmes dritares së taksisë, përgatiste shpirtin tim për surprizën e papritur.

Sapo mbërrita në hotelin tim të vogël por tërheqës, që në të kaluarën kishte qenë një vilë elegante, tashmë e restauruar me mjeshtëri e shije me ngjyrat të bardhë e të kaltër, u ndjeva befas si në shtëpinë time. Vajza e recepsionit më mirëpret me një italishte të përsosur, merr valixhen time të rëndë, e tërheq deri në dhomë me buzëqeshjen e njeriut që ndjen kënaqësi kur ndihmon tjetrin. Mirësjellja dhe dashamirësia janë në adn-në e këtij populli.
Pa sistemuar rrobat në dollap, me padurimin për tu zhytur në këtë botë të panjohur, marr taksinë e parë që më çon në sheshin e famshëm Skënderbej, një nga të paktat vende për të cilat kisha dëgjuar.

U kapa fort te mbajtëset e taksisë që gati fluturonte mes rreshtave të makinave, me zemër të ngrirë, duke parë pirueta të vërteta në mes të një trafiku kaotik dhe të çrregullt. Arritëm në destinacion, përmes rrugëve plot me të rinj që enden të buzëqeshur e mbushin baret që duken si të ndërlidhura përgjatë rrugëve të qytetit.

tirana-8

Tirana është qyteti i të rinjve

Ndihet në ajër një shpërthim vitaliteti, gëzimi, entuziazmi që përfshim këdo, që si unë, është mërzitur mpirja konsumiste e vendit tonë.
Eshtë bukur të flasësh me këdo që të afrohet. Janë njerëz të hapur, të interesuar për të ditur prejardhjen tënde, të gatshëm të hapen e të të tregojnë për studimet e tyre, për perspektivat e tyre të punësimit, shpërfillës ndaj faktit që ekonomia e vendit nuk është dhe aq e begatë. Në fakt në Shqipëri mund të jetohet me pak, nëse krahasohet me koston e jetës në qytetet e mëdha perëndimore. Një vakt i plotë për dy persona kushton 20 euro, një kafe pak qindarka, e njëjta gjë për pijet, alkolin, frutat e perimet.

Pra për ata që duan të bëjnë pushime low-cost, Shqipëria për momentin është vendi ideal. Them për momentin, sepse kam ndjesinë që sektori turistik do të shpërthejë dhe kështu që gjerat do të ndryshojnë.

Shqipëria është vendi i TOLERANCËS. Këtu është në fuqi liria fetare, një bashkëjetesë paqësore mes besimeve të ndryshme: ortodoksë, muslimane, katolikë. E njëjta gjë ndodhte gjatë rregjimit komunist, kohë në të cilën shqiptarët dhanë, pa frikë, dëshmi të besimit të tyre.

Shqipëria ka një KULTURE të lartë MIKPRITJEJE të ngrohtë që vihet re edhe në gjestet e vogla, siç mund të jenë një përqafim i papritur, një shtërngim duarsh tejet miqësor i shoqëruar me puthje. Dhe ti e ndjen që është një dashamirësi autentike dhe jo thjesht mirësjellje e shtirur.

QYTETI: është shembull i prekshëm se si mund të transformohen ndërtesa anonime në arkitektura të gëzueshme shumëngjyrëshe. Merita është e ish-kryebashkiakut, tani kryeministër i vendit EDI RAMA, i adhuruar si perëndi dhe i shpallur nga TIME Magazine, Njeriu i Vitit në Europe në vitin 2005. Ishte ai, piktori kreativ, që vendosi lyerjen e gjithë qendrës së Tiranes me te kuqe pompeiane, të gjelbër pastel, të verdhë okër që e bëjnë qytetin të ngjajë me Shën Pjetërburgun. Rrugët e gjera me pemë të mëdha konkurrojnë me ato të Parisit. Taksitë e verdha që përshkojnë pa pushim qytetin, më kujtojnë New York-un, por këtu udhëtimi kushton vetëm 2 euro.

Eshtë pra një qytet i gjallë, plot dyqane me mallra të çdo lloji, të hapura deri vonë edhe të dielën, restorante me cilësi të lartë, salla koncertesh, teatro, diskoteka. Eshtë BLLOKU, një zonë që dikur ishte e ndaluar për qytetarët, sepse aty jetonte diktatori i rrethuar me shpurën e tij. Sot është një lloj Montmartre e rezervuar për të rinjtë që kalojnë këtu mbrëmjet e tyre duke pirë e duke u dëfryer.

Vendet për të vizituar nuk janë shumë por disa prej tyre jane vërtet të bukura. KISHA ORTODOKSE me një portal të artë ashtu si edhe pagëzimorja përballë tij, ndërsa brenda, para altarit, janë rreshtuar një sërë imazhesh fetare pikërisht si në Bazilikën e Shën Markut. XHAMITE e ndryshme me minaretë që gërvishin qiellin përcjellin tingujt e ëmbël që thërrasin besimtarët për falje. Pastaj Museu Kombëtar, Galeria e Artit Modern. Këtu është organizuar ekspozita e piktorit LIN DELIJA i cili gjatë rregjimit komunist, u detyrua të arratiset e të strehohet në Antrodoco, një vend i bukur në Itali, ku zhvilloi aktivitetin e tij duke u bërë një nga piktorët më të famshëm shqiptarë.

Pastaj janë kuriozitetet historike si PIRAMIDA që diktatori Hoxha e ndërtoi si varrin e tij, tashmë e shndërruar në gërmadhë të zhveshur nga mermeri që e mbulonte.

PIRAMIDA_jpg

Në anët e urave mbi lumin Lana, mund të gjesh një sërë tezgash të gjata, mbi të cilat shitësit vendosin libra të perdorur duke i ndarë sipas tematikës dhe gjuhëve të huaja. Një treg letrar në qiell të hapur, që tregon sa i zhvilluar është interesi për kulturën. Vihet re një lulëzim iniciativash, shprehje e dëshirës për afirmim pas një periudhe të gjatë shtypjeje, gjë që e bën Tiranën, ndoshta akoma jo një metropol kozmopolit, por sigurisht qytetin e të ardhmes, që duhet njohur e dashuruar…

bancarelle tirana tagliarini

 


 

A mund të dashurohesh me një qytet? Pergjigjja ime është po. Sepse është ajo çka me ndodhi mua me të mberritur në Tiranë. Nga Carla Tagliarini. Përkthyer në shqip nga Rovena Sakja